Dr. Mustafa Mahmud

Feja nuk është profesion dhe nuk bën të jetë profesion. Në Islam nuk ka post, i cili quhet klerik fetar. Dispozitat dhe ritet, të cilat i kryen myslimani, mund të kryhen në mënyrë rutinë, të përsëritshme, të dobëta dhe bosh prej ndjenjave, që nuk kanë asnjë lidhje me fenë.

Tek ne nuk ekziston uniformë, e cila quhet uniformë islame. Xhelabija, brenavekët, fesat dhe mjekrat janë zakone dhe tradita, në të cilat marrin pjesë myslimanët, budistët, zjarrputistët, durzitë… kërcimtarët e diskove dhe të hipeve i kanë mjekrat edhe më të gjata. Të kesh emrin Muhamed, Ali, apo Osman nuk mjafton për të qenë mysliman.

Feja jote në kartën e identitetit, edhe ajo është tjetër, thjesht fjalë. Tespihët, pëshpëritjet, hungërimat, tiparet e babaxhanëve, tehlilët e dervishëve, nganjëherë aktorët i shqiptojnë më mirë se sa vetë dervishët. Flamujt, parullat, kandilat, xhematet fetare, nganjëherë fshihen pas tyre komplote dhe dredhi politike, trazira, protesta, të cilat nuk kanë asnjë arsye fetare.

Çfarë është feja atëherë…?

Feja është gjendje zemre, ndjenjë. Ndjeshmëri e brendshme për të fshehtën, por edhe me paqartësinë e saj është shumë e qartë, se ekziston një fuqi e fshehtë, e përsosur, mbizotëruese, e lartë që rregullon çdo gjë. Ndjeshmëri e plotë e pamposhtur, se ekziston Një i Lartmadhëruar, se mbretëria, për të ka mbret dhe se nuk ka arratisje për zullumqarin dhe as shpëtim për kriminelin. Se ti je i lirë, përgjegjës dhe se nuk ke lindur kot, nuk jeton kot dhe se vdekja jote nuk është fundi yt, por ajo të çon drejt asaj, që nuk e di… drejt gajbit (të fshehtës) prej nga ke ardhur, prej gajbit (të fshehtës)… dhe ekzistenca vazhdon.

Kjo ndjeshmëri trashëgon frikërespekt, përkushtim dhe devotshmëri. Të shtyn drejt rishikimit të vetes dhe e nxit të zotin e saj që të shpikë për jetën e tij gjëra me vlerë dhe të nxjerrë prej vetes një ekzistencë më të lartë e më të lartë, çdo moment, duke llogaritur ditën në të cilën do të takojë këtë Mbret të Madh, Mbretin e sundimit.

Kjo është kriza e ekzistencës rigjeneruese, vuajtja sajuese shpikëse dhe ndjeshmëria e vazhdueshme për praninë, përgjithmonë që nga lindja deri pas vdekjes…

Dhe ndjeshmëria për përgjegjësinë dhe ndjenja për urtësinë, bukurinë, rregullin dhe seriozitetin në çdo gjë. Ajo është e vërteta e fesë. Adhurimet dhe obligimet vijnë, pas gjithë kësaj, dëshmitare për këtë gjendje zemre. Por gjendja e zemrës, kjo është baza dhe kjo është vetë feja, e vërteta dhe esenca e saj.

E, Kurani zbret për njohjen me këtë Mbret Madhështor… Mbreti i sundimit… me Emrat e Tij të bukur, cilësitë e Tij, punët, ajetet dhe njëshmëria e Tij. Dhe vjen Muhamedi (a.s.), për të dhënë shembullin dhe udhëzimin e kjo për vërtetësinë e çështjes dhe plotësimin e fjalës.

Por mbetet ndjeshmëria për gajbin (të fshehtën), shpirti i adhurimit dhe esenca e dispozitave dhe obligimeve. Pa të nuk ka kuptim namazi dhe as nuk ka kuptim as zekati.

Me të vërtetë, Muhamedi (a.s.), i dha udhëzimin dhe shembullin myslimanit të plotë, ashtu siç dha shembullin për qeverisjen islame dhe shoqërinë islame. Por, Muhamedi (a.s.) dhe shokët e tij qenë myslimanë në bashkësinë kurejshe jobesimtare dhe klima e mosbesimit nuk e pengoi asnjërin prej tyre për të qenë mysliman me Islam të plotë.

Myslimani duhet të thërrasë në besim (iman), por atë nuk e dëmton, nëse nuk e dëgjon kush dhe as nuk e dëmton, nëse mohojnë ata që janë përreth tij. Sepse ai mund të jetë besimtar në çdo regjim dhe në çdo mjedis, sepse besimi (imani) është gjendje zemre dhe feja është ndjenjë dhe jo dukuri. Shikuesi mundet të vazhdojë shikimin, edhe nëse të gjithë të pranishmit janë të verbër, sepse shikimi është zotësi, që nuk ndikohet prej verbërimit të të pranishmëve, ashtu siç ndjeshmëria për gajbin (të fshehtën) është zotësi, që nuk ndikohet prej hutimit të të hutuarve edhe në qofshim shumë, madje të qenit e tyre shumë do të jetë shtesë në peshoren e saj në Ditën e Llogarisë.

Nyja në çështjen e fesë e të fetarisë, ajo është gjendja e zemrës, me çfarë merret zemra dhe çfarë të sillet në mendje? Cila është dashuria që mund ndjenjat? Cila gjë ka përparësinë kryesore? Çfarë zgjedh zemra në çastet vendimtare? Dhe në cilën anë anon dëshira?

Këta janë treguesit, të cilët do të tregojnë për fenë dhe mungesën e saj… këto janë më tregueset, sesa namazi formal. Dhe për këtë ka thënë Kurani: “E padyshim, përmendja e Allahut është më e madhe…”, pra dhikri (përmendja) është më e madhe se sa namazi, me gjithë rëndësinë e namazit.

Për këtë arsye, Pejgamberi (a.s.), u ka thënë shokëve të tij, për Ebu Bekrin se ai nuk ua ka kaluar me agjërim dhe namaz, por për diçka që ka zënë vend në zemrën e tij. E për këtë gjë, e cila ka zënë vend në zemrën e çdonjërit prej nesh, ne do të dallohemi në Ditën e Kiametit, me më tepër sesa dallohemi me namaz dhe agjërim.

Namazi do të jetë namaz për shkak të kësaj gjëje, e cila është në zemër. E namazi fiton rëndësinë e tij themelore në aftësinë e tij për pastrimin e zemrës, mbledhjes së energjive, bashkimit të ideve dhe përqendrimit të ndjenjave.

Namazi i shumtë hap këtë sy të brendshëm dhe zgjeron këtë lumë të brendshëm. Ai është organizimi ekzistencial me Allahun, i cili e shpreh fenë më tepër sesa e shpreh ndonjë veprim tjetër. Ai është portreti i Islamit, të cilin e portretizon trupi në tokë, me sexhde, me ruku, me nënshtrim, me përgjërim dhe me vetëmohim.

Zoti i botëve i thotë të Dërguarit të Tij: “Jo, jo, mos ju bind atij e bëj sexhde dhe afrohu”.

Me sexhden e zemrës trupëzohet kuptimi i brendshëm e i thellë i fesë dhe krijohet lidhja më e fortë që mund të jetë mes robit dhe Zotit. Dhe me ndjeshmërinë fetare, zemra dëshmon veprën hyjnore në çdo gjë, në shi dhe në thatësirë, në disfatë dhe në triumf, në shëndet dhe në sëmundje, në varfëri dhe në pasuri, në rehati dhe në vështirësi… dhe përgjatë historisë shikon Allahun në ndryshimin e ngjarjeve dhe qarkullimin e përcaktimeve.

Përgjatë universit e shikon Allahun në rregullin, në përputhshmërinë dhe në bukurinë, siç e shikon në katastrofa, në të cilat shpërthejnë yjet e tretën në hapësirën e largët. Dhe në karakteristikat e qenies, e shikon në atë çfarë e godet qenien prej pasurisë dhe mungesës së saj, shpresës dhe durimit e çfarë bie në zemër prej mendimeve dhe vullneteve.

Ky kuptim për vullnetin nuk shkakton tek muslimani heqje të lirisë së tij përkundrazi zgjerim të kësaj lirie. Ai zgjedh me Zotin e tij, kërkon me Zotin e tij, planifikon me Zotin e tij dhe zbaton me Zotin e tij. Kështu që, Allahu është Kujdestari i gjithë punëve të tij. Madje, ai ecën me Të, merr frymë me Të, dëgjon me Të, shikon me Të dhe jeton me Të…

E kjo është fuqi gjigante dhe ndihmë që shteron për robin gnostik. Gati sa fuqia e tij të jetë fuqia e Allahut, shikimi i tij, shikimi i Tij, dëgjimi i tij, dëgjimi i Tij dhe vullneti i tij, vullneti i Tij.

Lumi i ekzistencës së brendshme brenda tij është zgjeruar në pafundësi… dhe për këtë thotë Allahu në hadithin e Tij kudsij: “Mua nuk më kanë përfshirë qiejt e Mi dhe as toka Ime, por më ka përfshirë zemra e robit Tim besimtar”.

Kjo ngjitje ekzistenciale dhe ky lartësim shpirtëror i vazhdueshëm, ky është kuptimi i vërtetë për fenë dhe ky është emigrimi me përpjekje për tek Allahu “O ti njeri! Me të vërtetë, ti përpiqesh për tek Zoti yt me përpjekje dhe ato do t’i takosh (gjesh)”.

Dhe nuk gjejmë tjetër, përveç përpjekjes, fjalë shprehëse për këto vuajtje ekzistenciale krijuese dhe sakrificën vetjake, lartësim për tek Allahu.

Kjo është feja dhe ajo është shumë më tepër se sa të jetë profesion, apo post (detyrë) apo kartë identiteti, apo institucion, apo uniformë zyrtare.

Share.

Comments are closed.

Banka Kombëtare Tregtare (LEKË): Numri i Llogarisë : 410139728 IBAN : AL39 2055 1106 1397 29CL TJCL ALLE
Banka Kombëtare Tregtare (EURO): Numri i Llogarisë : 410139728 IBAN : AL17 2055 1106 1397 28CT LJCF EULA
Banka Kombëtare Tregtare (DOLLAR): Numri i Llogarisë : 410139728 IBAN : AL50 2055 1106 1397 28CT LJCF USDE
KODI SWIFT: NCBAALTXXX