Kurani Fisnik urdhëron që ta përdorim kohën me vetëdije dhe të arrijmë rezultate të begata nga kapitali që po mbaron. Ndërsa ajeti i pesëmbëdhjetë i sures el-Ahkaf, tregon rëndësinë jetike që ka mbartja për në ditët e nesërme e trashëgimisë së mirë, të cilën e kemi marrë nga e djeshmja, duke e gjallëruar atë në ditët e sotshme:

“Njeriun e kemi porositur të jetë i sjellshëm ndaj prindërve të tij. Nëna e mbart dhe e lind atë me mund. Ai mbartet dhe ushqehet me gji për tridhjetë muaj dhe, kur arrin në moshën e burrërisë e mbush dyzet vjet, ai thotë: ‘O Zoti im! Më frymëzo të të falënderoj për begatitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur! Më dhuro pasardhës të mirë! Tek Ty kthehem i penduar dhe Ty të dorëzohem!”. (el-Ahkaf, 15.)

Në ajetin fisnik ftohet për në zgjim njeriu, i cili ka arritur kohën që konsiderohet si fillim i moshës së pjekurisë. Prej tij kërkohet të shikojë se nga cila pikë e ka filluar jetën, të falënderojë prindërit për përpjekjet e mëdha që kanë dhënë për të dhe të falënderojë Allahun Teala, i cili ia ka dhënë të gjitha këto mirësi atij. Njeriu duhet t’i kërkojë ndihmë Allahut të Madhëruar për ta falënderuar Atë dhe të njëjtën koshjencë duhet të përpiqet për t’ua trashëguar brezave pas tij.

Tani dëshirojmë të mendojmë se çfarë mund të bëjmë për t’i dalë zot lutjes:

“O Zot! Më jep mua dhe pasardhësve të mi vazhdimisht prej mirësisë Tënde!”[1]

Njeriu në moshën dyzet vjeçare, duhet t’i shohë gjithë këto mirësi që i ka dhuruar Allahu Teala dhe duhet t’i bëjë një llogari serioze vetes, në mënyrë që ta kryejë falënderimin për to. Ai duhet ta llogarisë veten e tij, që ka shijuar shumë gjëra në emër të mirësive të kësaj bote. Kjo nuk është llogaria e pasurisë, që të mbajë çetelen e atyre që ka fituar dhe atyre që ka harxhuar deri më tani. Kjo është llogaria e suksesit që ka arritur për t’ua dhënë fëmijëve vlerat që i ka marrë nga gjyshërit.

Sipas komentimit të ajetit, vetëm Hazreti Ebu Bekri (r.a.), e arriti suksesin në kuptimin që flitet në ajetin fisnik prej sahabëve të nderuar. Me përpjekjet, begatinë e lutjeve të tij dhe me mirësinë e Allahut të Madhëruar, e gjithë familja e tij, me në krye prindërit, u nderuan me Islam.

Ajeti fisnik, me metodën koncize të tij, paralajmëron se falënderimi ndaj Zotit (xh.xh.), ka kuptim, aq sa jep filiza të begatshme që shtrihen drejt së ardhmes. Nisur nga kjo, njeriu duhet të bëjë plane të detajuara në lidhje me personat për të cilët është përgjegjës t’i edukojë. Siç na e ka bërë të qartë edhe i Dërguari i Allahut, sallallahu alejhi ve sellem, ai duhet “të përpiqet t’u lërë një trashëgimi të mirë nipërve të tij.”

Për shembull, le të mendojmë për moshën nga zero në gjashtë vjeç:

Kjo periudhë kërkon interesim të veçantë dhe është shumë e rëndësishme në edukimin e fëmijëve, sepse në këtë periudhë formohet personaliteti dhe merren zakonet. Të gjitha vlerat ngjizen ndërmjet moshës zero deri në gjashtë vjeç, lulëzojnë ndërmjet moshës gjashtë deri në dymbëdhjetë vjeç dhe pastaj japin frytet e tyre përgjatë gjithë jetës. Për këtë arsye, vitet e para të fëmijërisë janë periudha e mundësive të arta, që fitohen ose humben për një popull apo familje. Nëse e neglizhojmë dhe ia lëmë dikujt tjetër fushën në të cilën duhet të punojmë në atë periudhë, atëherë nuk do të kemi më mundësi për ta gjetur përsëri të njëjtin shans.

Sa e rëndësishme është që t’ua bëjmë të dashur atyre besimin, ibadetin, Kuranin dhe ndershmërinë, në një periudhë kur janë gati të marrin atë që u jepet. T’i mësojmë si të heshtin dhe të flasin sa duhet kur është e nevojshme… T’ua rregullojmë gabimet pa i lënduar. T’u japim mundësi për t’i rregulluar gabimet e tyre me qortime konstruktive dhe orientuese… T’i ndjekim me durim, rregull dhe dashuri në çështjen e praktikimit të atyre që kanë mësuar… Sa e rëndësishme është që të duan, të duhen dhe t’u afrohen të tjerëve me dashuri, sepse vetëm të dhënat që mbruhen me brumin e dashurisë, janë të qëndrueshme dhe të përhershme. Të mos harrojmë se çdo fëmijë, është i etur për gjërat e pastra që i jepen me dashuri. Ndërsa prindërit, janë të detyruar ta bëjnë këtë.

Nëse njeriu do të ulet dhe të mendojë duke filluar që nga mosha dyzet vjeçare, duhet të shqetësohet për çështjen bazë të llogarisë, e cila është mbartja me dashuri për në të ardhmen e trashëgimisë së marrë nga e kaluara.

Kujt do t’ia lë sexhaden time ditën kur të largohem nga kjo botë? Kujt do t’ia lë amanet tespihet, takijen dhe shaminë time? Kush do të ulet në vendin tim nëpër kuvendet, ku flisja vetëm për mirë dhe për të përkujtuar emrin e Allahut? Njeriu duhet t’i mendojë këto.

A e dëshiron fëmija i tij po aq sa ai të gjendet nëpër vende ku ai gjendej me plot dëshirë? A largohet nga vendet e mëkatit, në të cilat ai nuk dëshironte të gjendej? A përputhet pikëpamja juaj kundrejt jetës me pikëpamjen e tij? Nëse jo, si mund të kompensohet ndryshimi që ka ndërmjet jush? Si mund të orientohen për te e drejta me një metodë të mirëfilltë dëshirat e pasionet që ndiqen pa dijeni dhe pa marrë parasysh parimet fetare?

Nga ajeti fisnik mund të kuptojmë qartë se këto pyetje dhe të tjera si këto, secili prej nesh duhet t’ia bëjë vetes. Nëse baza e të gjitha sukseseve të rëndësishme është një e vërtetë, në të cilën gjendet ndjekje me durim dhe vlerësim i mundësive në kohën e duhur, mund të themi se edhe ajeti fisnik pikërisht këtë tregon.

Ndoshta në disa punë mund të jetë e nevojshme të pritet dhe të gjendet koha e duhur, por përgjegjësia e mbartjes së besimit tonë për te brezat që janë duke u rritur e edukuar, nuk mund ta përballojë një pritje të tillë, sepse jeta nuk ndalon dhe ngjarjet përparojnë me vrull në rrjedhën e tyre natyrale, edhe pse ne e kryejmë apo jo detyrën tonë. Ai që lind, rritet…

Aktivitetet e fshehta, që tani po bëhen haptazi për t’i mbajtur larg gjërave të shenjta brezat që po rriten, e shtojnë edhe një herë më shumë rëndësinë e përpjekjeve me vetëdije për të cilat bëhet fjalë në ajetin fisnik. Nisur nga kjo, ne nuk kemi luksin të humbim asnjë njeri të cilin mund ta arrijmë.

Zemra jonë nuk mund të jetë e kënaqur që ndonjëri prej tyre të shkatërrohet në anaforën e mohimit të fesë. Ne kemi përgjegjësinë t’i shpjegojmë fenë tonë të bukur, ta njoftojmë për moralin e Islamit dhe t’ia bëjmë të dashur Kuranin e ibadetin çdo njeriu që mund të arrijmë. Dhe kjo përgjegjësi, është një proces që nuk mbaron kurrë, sepse ajeti fisnik që shfaq domosdoshmërinë e një llogarie të tillë, nuk i lë pas dore edhe pjesët e tjera të kohës. Kuptimi i kësaj duhet të jetë ky:

Ai që nuk e ka bërë një llogari të tillë deri atë ditë, të paktën ta bëjë në kohën e pjekurisë dhe ta mbajë këtë vetëdije, duke mos e neglizhuar më. Para së gjithash, rëndësi ka që kjo vetëdije, të mbahet e gjallë përgjatë gjithë jetës.

LEXO / MENDO

Zbukuroje vendin tënd

Kurani Fisnik i bën të shikojnë horizontet, ata që lexojnë shembujt e tij. Vendet i fut nëpër zemra dhe zemrat i bën të gjera sa vendet. Ja, në njërin prej tyre, thuhet:

“Toka e mirë jep fruta të mira me lejen e Zotit të saj, ndërsa nga toka e keqe nuk del gjë, përveçse bimë të padobishme. Ja, kështu ua shpjegojmë shpalljet Tona njerëzve mirënjohës.” (el-A’raf, 58.)

Këtu shprehen dy të vërteta me anë të përngjasimit. Zemra e besimtarit përngjasohet me tokën e mirë dhe pjellore, gjë e cila sjell begati, sepse e pranon të vërtetën kur e dëgjon. Si rezultat i këtij pranimi, nga ajo rrjedhin vepra të mira.

Ndërsa, zemra e politeistit dhe hipokritit përngjasohet me tokën e keqe dhe jopjellore.  Ajo është e verbër dhe e shurdhër kundrejt së vërtetës.  Te ajo mbijnë vetëm ferra dhe bimë të padobishme. Ajo nuk sjell përfitime, për shkak se është e privuar nga haku dhe e vërteta. Madje, në një lloj mënyre, dëmton çdo njeri. Nga ajo zemër dëgjohen vetëm fjalë lënduese dhe fyese. Ajo shfaq vetëm vepra që i shqetësojnë të tjerët.

Por ti, me besimin që zotëron, ke merituar të përngjasohesh me “beldei tajjibe”. Atëherë duhet t’ia dish vlerën zëmrës sate dhe duhet ta zbukurosh vendin tënd. Nga lulishtja jote duhet të përhapen aroma si misk…

Pastërtia dhe ndershmëria jote duhet të dallohet menjëherë. Ti duhet të kesh fryte të begatshme që t’ia shfaqësh njerëzisë në çdo periudhë të jetës tënde.

Share.

Comments are closed.

Banka Kombëtare Tregtare (LEKË): Numri i Llogarisë : 410139728 IBAN : AL39 2055 1106 1397 29CL TJCL ALLE
Banka Kombëtare Tregtare (EURO): Numri i Llogarisë : 410139728 IBAN : AL17 2055 1106 1397 28CT LJCF EULA
Banka Kombëtare Tregtare (DOLLAR): Numri i Llogarisë : 410139728 IBAN : AL50 2055 1106 1397 28CT LJCF USDE
KODI SWIFT: NCBAALTXXX