Frekuentimi i institucionit të shkollës sot është një domosdoshmëri e paevitueshme, nëse nuk dëshiron që të mbetesh jashtë, si i pakualifikuar. Për të shmangur këtë pasojë të padëshirueshme, pra të mos kesh kredencialet e nevojshme, duhet që nxënësi të kalojë hallkat e zinxhirit arsimor një pas një.

Në këtë përfshirje, është e natyrshme që dëshira e prindërve të jetë, dëshira për sukses e fëmijës së tyre. Por dëshira për sukses të nxënësit nuk është vetëm dëshirë e prindit të tij, por edhe dëshirë e mësuesit të tij, pasiqë nxënësi do të duhet të jetë pasqyrues i njohurive që transmeton mësuesi. E megjithatë, pavarësisht dëshirës së madhe të prindit dhe mësuesit për sukses arsimor të nxënësit, realiteti i sotëm nuk i përgjigjet dëshirës.

Duhet të kemi të qartë se ka dhe përjashtime, por marrë në tërësi trendi mbizotërues është indiferenca ndaj të mësuarit, braktisja e librave dhe përçmimi ndaj transmetuesit të njohurive.

Realiteti flet me fakte dhe jo me dëshirën e njërës apo tjetrës palë, për sukses të nxënësit. De facto, ka një problem serioz, i cili është tepër shqetësues dhe prandaj shtrojmë pyetjen se përse nxënësi nuk mund të mësojë?

Është e natyrshme që kur gjendemi përballë një problemi dhe shqetësimi, të përpiqemi të gjejmë, të identifikojmë arsyet pse; dhe për më tepër të përpiqemi për të gjetur pse jo dhe ndonjë zgjidhje, nëse është brenda mundësive njerëzore.

Si arsye kryesore e indiferencës ndaj të mësuarit, braktisjes së librave dhe përçmimit ndaj transmetuesit të njohurive, listohet mospunimi siç duhet i trurit, pra mosdhënia e komandave të duhura nga ky organ i rëndësishëm i qenies njerëzore. Duke mos dhënë komandat e duhura edhe reagimet e qëndrimet e nxënësit nuk janë ato të duhurat. Ky konstatim mbështetet apriori tek fakti se njeriu mëson nëpërmjet trurit, se qendra e të mësuarit dhe akoma më tej e të kuptuarit, është truri.

E në qoftë se truri është qendra e të mësuarit dhe kuptuarit, përse nxënësi nuk arrin të mësojë e kuptojë, përderisa nuk ka ndonjë mangësi në zhvillimin mendor nga pikëpamja biologjike? Prandaj duhet shtruar një pyetje tjetër që ka lidhje të drejtpërdrejtë dhe qenësore me shqetësimin që kemi ngritur.

A është realisht truri qendra e të mësuarit dhe kuptuarit apo truri është vetëm një organ ndihmës në këtë proces?

Për të dalë në një konkludim, që për shumë syresh mund të jetë dhe i paqënë, le të sjellim në vëmendje një histori nga jeta e njerëzve të mençur e të urtë.

Thuhet se Shafiu, një dijetar i madh i së shkuarës së Orientit, kur ishte i ri, ende nxënës, kishte një kujtesë për t’u pasur zili. Do t’i mjaftonte ta lexonte vetëm një herë një faqe libri dhe të mos ishte më e nevojshme për t’iu rikthyer sërish për ta mësuar. Por një ditë i ndodhi që, edhe pse e lexoi disa herë të njëjtën faqe nuk po e mësonte dot. I shqetësuar u drejtua për tek mësuesi i tij dhe ia parashtroi gjithë situatën. Në fund mori këtë përgjigje: “Biri im, në zemrën tënde është hedhur dritë, mos e shuaj atë me errësirën e ligësive dhe zullumit.”

Në qoftë se nisemi nga pikëpamja biologjike, me trurin e këtij nxënësi nuk kishte ndodhur ndonjë ndryshim që kujtesa e tij të merrte këtë goditje. Truri i tij ishte njësoj si më parë, funksiononte po njësoj, por ndryshimi kishte ndodhur në një organ tjetër, për të cilin mund të themi pa hezitim që është vetë thelbi i qenies njerëzore. Ky ndryshim kishte ndodhur pikërisht në zemër dhe ishte pikërisht ky ndryshim, që kishte sjellë dëmtimin e kujtesës së tij të mrekullueshme.

Përgjigjia që mori ky djalosh, ishte dhe është tepër domethënëse, jo vetëm për atëherë, por për çdo kohë. Pra, qendra e të mësuarit dhe kuptuarit nuk është truri, sikundërse mund të mendojnë shumë syresh, por zemra. Qenia njerëzore mund të përdorë trurin për arsyetime, analiza, përllogaritje, por vizioni, urtësia, mençuria, thellësia e të kuptuarit, qartësia e gjykimit, janë çështje të cilat lidhen katërcipërisht me pastërtinë e zemrës nga ligësitë dhe zullumet.

Sa më e pastër të jetë zemra, aq më i thellë do të jetë të kuptuarit, aq më i suksesshëm do të jetë të mësuarit. Sa më e ndotur dhe përlyer me ligësi dhe zullum të jetë zemra, aq më i cekët do të jetë të kuptuarit dhe aq më i dështuar do të jetë të mësuarit.

Kësisoj, në qoftë se nxënësi sot ndihet pa nerv, braktisës i librave, përçmues i mësuesit, i pavullnetshëm për jetë aktive intelektuale, nuk është se nuk është i aftë mendërisht, madje mund të ndodhë që të jetë tepër i aftë mendërisht. Por, jetesa e lirë, zhytja në botën e high-tech, përfundja e zemrës ndaj dëshirave fizike, e kanë shprishur natyralitetin e pastërtisë së zemrës, të këtij nxënësi të ri, dhe, duke u shprishur ky natyralitet, aftësia për lexim të thellë, mësim të thellë dhe kuptim të thellë, nuk mund të lëshojnë rrënjë aty ku perandoria e errët e dëshirave të mbrapshta ka vendosur sundimin e vet.

Pikërisht këtu qëndron edhe epiqendra e problemit dhe shqetësimit se përse nxënësi nuk mund të mësojë. Për aq kohë sa ky nxënës do të jetë strehë e perandorisë së errët të dëshirave të mbrapshta, do të jetë i paaftë për të mësuar, sepse errësira e ligësisë dhe zullumit nuk mund të ndajë të njëjtën hapësirë jete në të njëjtën kohë më dritën e dijes.

Share.

Leave A Reply

Banka Kombëtare Tregtare (LEKË): Numri i Llogarisë : 410139728 IBAN : AL39 2055 1106 1397 29CL TJCL ALLE
Banka Kombëtare Tregtare (EURO): Numri i Llogarisë : 410139728 IBAN : AL17 2055 1106 1397 28CT LJCF EULA
Banka Kombëtare Tregtare (DOLLAR): Numri i Llogarisë : 410139728 IBAN : AL50 2055 1106 1397 28CT LJCF USDE
KODI SWIFT: NCBAALTXXX